Rreth IBB

4th May, 2011

    Të nderuar kolegë, prodhues, përpunues, studentë, nxënës dhe donatorë, ne flasim qartë me ju.

    • Stafi shkencor i Institutit të Bujqësisë Biologjike (IBB) është i vogël në numër, por realizon punë të mëdha.
    • Ne nuk mendojmë se jemi më të mirët, por do ta keni të vështirë të gjeni më të mirë në fushën që mbulojmë.
    • Nuk ju detyrojmë të na besoni.
    • Ju lutemi na provoni!
    • Me ju ne bëjmë gjera të mira.
    • Punët e mira nuk bëhen vetëm.

    Sistemet  e bujqësisë

    Sa sisteme bujqësie praktikohen sot?

    Praktikohet bujqësia natyrale, bujqësia konvencionale, ajo e integruar dhe bujqësia biologjike. Kjo e fundit haset edhe me termat “bujqësi organike ose ekologjike”.

    Nje sistem bujqësie është tërësia e praktikave bujqësore, që realizojnë prodhimin bujqësor dhe blegtoral.

    Sistemet e prodhimit ndryshojnë nga njëri-tjetri për nga “llojet e bazës  materiale, që përdorin (inputet) dhe nga qëndrimi, që mbajnë ndaj mjedisit”.

    Prirja e sotme botërore është lëvizja në kahun nga bujqësia  konvencionale në bujqësinë e  integruar dhe nga kjo drejt bujqësisë  biologjike.

    “Bujqësia biologjike është ai sistem bujqësie, që përdor bazë materiale të padëmshme për njerëzit, gjallesat e tjera dhe mjedisin në përgjithësi dhe që harmonizon interesat ekonomike, ekologjike dhe sociale për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme”.

    Sa e përhapur është sot bujqësia biologjike/org/eko?

    Në shkallë botërorë në formën organike menaxhohen 35 milionë hektarë toke. Kërkesat e tregut rriten 25 % në vit.

    Si matet niveli i bujqësisë bio në një vend?

    • Nga sipërfaqja që zë bujqësia bio ndaj sipërfaqes së përgjithshme bujqësore,
    • nga numri i fermave bio,
    • nga sasia ne ton e prodhimit bio,
    • nga të ardhurat financiare që vijnë nga bujqësia bio.

    Si paraqitet bujqësia bio në vende te ndryshme të botës?

    Pothuajse shumica e vendeve ecin në këtë drejtim, por 10 vende më të vogla e kanë zhvilluar më shumë bujqësinë bio: Zvicra, Austria, Danimarka, Italia, Greqia, etj. sepse bujqësia bio është një alternativë për përballjen e tregut të madh global.

    Vendet e vogla fitojnë me cilësinë, vendet e mëdha fitojnë me sasinë e madhe  të prodhimit dhe me çmimet e ulëta. Fermeri bio ka disa alternativa tregu, fermeri i bujqësisë konvencionale ka vetëm tregun konvencional.

    Po në Shqipëri si paraqitet bujqësia bio?

    Nga viti 1997 kur u themelua shoqata e parë e bujqësisë organike (SHBO) e deri sot janë bërë hapa përpara.

    Sot shoqata e fermerëve bio është shoqata BioAdria. Në të bëjnë pjesë mbi 200 ferma bio, ku gjysma është aktive në treg.

    Fermat bio ndodhen në numër më të madh në Tiranë, Durrës, Lushnjë, Vlorë, Shkodër, Peqin.

    Fermat prodhojnë  perime, fruta, rrush, ullinj e vaj ulliri, bimë mjekësore,  kërpudha pylli,  gështenja, etj.

    Po eksporti i produkteve bio ?

    Ka vite, që eksportohet vaj ulliri, kërpudha pylli, bimë mjekësore, gështenja, etj. të gjitha të certifikuara si bio.

    Opinioni i konsumatorit evropian është shumë i mirë për produktet bio, por pika jonë e dobët është volumi ende shumë i vogël i prodhimit në krahasim me kërkesat e konsumatorëve jashtë Shqipërisë.

    Si lindi Instituti i Bujqësisë Biologjike (IBB)?

    Specialistët e këtij instituti kanë punuar prej vitesh si staf teknik në shoqatën e bujqësisë biologjike BioAdria.

    Ky staf me dëshirën dhe mbështetjen e qeverisë zvicerane krijoi një institut me idenë e rritjes së kapaciteteve të tij për kërkim dhe këshillim në bujqësinë biologjike shqiptare.

    Partneri shkencor i IBB ka qenë dhe vazhdon të jetë Instituti Kërkimor i Bujqësisë Biologjike në Zvicër (FiBL). Nën projektin SASA (Mbështetja e Bujqësisë së Qëndrueshme në Shqipëri) tashme janë krijuar disa institucione: Shoqata BioAdria, Instituti i Bujqësisë Biologjike, etj. Mire se vini ne IBB